Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi tha se BDI përshëndetë gatishmërinë e partive maqedonase për heqjen e 20% që i destinohet gjuhës shqipe në Kushtetutë.
Ademi tha se janë të bindur se në momentin që hapet Kushtetuta do të ndodhë.
“Jemi të bindur edhe sot se në momentin e parë që do të hapet Kushtetuta e vendit sa i përket avansimeve të të drejtave të komuniteteve në vend përfshirë këtu në radhë të parë shqiptarët një gjë e tillë edhe do të arrihet”, deklaroi Ademi.
Ademi vlerëson se hapja e Kushtetutës dhe heqja e 20% janë kafshatë e madhe për opozitën shqiptare dhe nuk mund ta realizojnë një gjë të tillë.
“Opozita po kërkon tema për ekzistencën e vet politike dhe po krijon përshtypje false dhe të gabuar në opinion gjoja se mund të përballen me çështje të mëdha, por edhe ata janë të vetëdijshëm se kjo çështje dhe çështjet tjera të mëdha janë kafshata që nuk mund t’i kapërdijnë dot, për arsye se nuk kanë kapacitet për të realizuar politika të rëndësishme dhe të mëdha”, deklaroi Ademi.