Telegrafi

Ademi: Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë do të dalin me qëndrim të përbashkët për regjistrimin e nxënësve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Shëndetësisë për disa ditë do të dalin me qëndrim dhe orientime për shkollat fillore lidhur me regjistrimin e nxënësve të klasave të para duke pasur parasysh se me shpalljen e epidemisë të fruthit nuk regjistrohen fëmijët e pavaksinuar, informoi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë. Çdo vendim i yni duhet që të jetë në pajtim me dispozitën kushtetuese se arsimi fillor është i detyruar, por gjithashtu duhet që të mos krijojmë situata në të cilat rrezikohet shëndetin publik”, deklaroi ministri i Arsimit Arbër Ademi.

Duke u nisur nga ajo se ka pasur shqetësim të caktuar tek prindërit gjatë regjistrimit të fëmijëve të tyre në arsimin tetëvjeçar, siç tha Ademi, në ditët e ardhshme do të japin orientim më konkret dhe më të qartë për të gjitha shkollat fillore gjatë regjistrimit të nxënësve të klasave të para.

“Në ditët e ardhshme do të ketë qëndrim të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kjo do të zgjidhet”, theksoi ministri Ademi./Telegrafi/