Zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, sot realizoi takim me Vincenzo Amendola, nënsekretar në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në takim u diskutua për procesin e Berlinit dhe samitin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Trieste, për gjendjen aktuale politike në vend, si dhe për perspektivat tona Euro- atlantike.
Zv. kryeministri Ademi përshëndeti qëndrimin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa rezervë për procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin tonë në BE si dhe qëndrimin e Italisë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kyçen drejt BE-së, sa më parë.
Ademi theksoi se projektet e financuara nga BE-ja për lidhje, në veçanti në transport dhe energjetikë, të cilat janë me rëndësi të veçantë edhe për zhvillimin e ekonomisë sonë, duhet të zgjerohen edhe në Maqedoni. Ai kërkoi mbështetjen e Italisë për përpjekjet e aderimit të Maqedonisë në rajonin dhe strategjinë e Adriatik–Jonit duke konfirmuar aspektin rajonal dhe përfshirjen e plotë të vendit në programet Trans-evropiane.
Ademi dhe Amendola shprehën kënaqësi nga bashkëpunimi i deritanishëm bilateral mes Maqedonisë dhe Italisë, e cila do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme./Telegrafi/