Telegrafi

Ademi dhe Danielsson: PSP duhet mbështetur!

Gjatë vizitës së punës në Bruksel, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, realizoi takim edhe me Drejtorin Gjeneral në Drejtorinë për zgjerim dhe politikë fqinjësorë në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjendja aktuale politike në vend, aktivitetet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Reformat Urgjente Prioritare dhe IPA fondet, ishin disa nga temat që u diskutuan gjatë takimit.

Lidhur me gjendjen aktuale politike, Zëvendëskryeministri Ademi iu referua detyrimeve të cilat dalin nga marrëveshja e 20 korrikut, dhe njëherit dy bashkëbiseduesit konstatuan se vlerësimi i liderëve politik për kushtet e përmbushura për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, është një hap pozitiv. Gjatë periudhës së ardhshme është e nevojës të bëhen përpjekje të organizohen zgjedhje demokratike, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, rezultatet e së cilave do të pranohen gjerësisht.

Ai gjithashtu theksoi se vazhdon përkushtimi për implementimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila paraqet gurë themel për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në vend.

Mes tjerash bashkëbiseduesit u dakorduan se duhet të vazhdojë mbështetja për punën e Prokurorisë Speciale Publike.

Në këtë kontekst bashkërisht u konstatua se duhet të vazhdojë praktika e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë mes institucioneve shtetërore dhe Komisionit Evropian, me qëllim të adresohen rekomandimet nga mësimet e marra deri më tani dhe të sigurohet zbatim më efikas i projekteve. /Telegrafi/