Agim Ademi ka qenë në vizitë në stërvitjen e fundit të Përfaqësueses së Kosovës para nisjes për në Armeni.
I pari i futbollit kosovar ka parë nga afër punën e përzgjedhësit të ri Franco Fodas dhe duke i përshëndetur futbollistët.
Ademi ka publikuar disa fotografi nga seanca e sotme stërvitore duke shkruar se Foda me stafin e trajnerëve kanë punuar në këto ditët e para me shumë zell dhe vendosmëri që ekipi ynë dardan ta përfaqësojë me dinjitet flamurin e Kosovës në çdo ndeshje e në çdo garë.
Ndër të tjera Ademi ka shkruar se është krenar që kemi një ekip kaq të talentuar dhe se është i bindur që kjo fazë e re do të na sjell momente të mrekullueshme.
Njoftimi i plotë nga Agim Ademi (pa ndërhyrje):
Fillimi i ri për Kombëtaren tonë!
Me stafin e ri të trajnerëve të Kombëtares për një mision të ri.
Së bashku po e nisim një rrugëtim të ri, i cili besojmë se do të na çojë drejt suksesit e lavdisë në skenën ndërkombëtare të futbollit.
Gjatë këtyre ditëve stafi i trajnerëve në krye me Franco Fodën kanë punuar me shumë zell dhe vendosmëri që ekipi ynë dardan ta përfaqësojë me dinjitet flamurin e Kosovës në çdo ndeshje e në çdo garë.
Jam krenar që kemi një ekip kaq të talentuar dhe të përkushtuar të futbollistëve dhe jam i bindur se kjo fazë e re do të na sjellë momente të mrekullueshme dhe suksese të mëdha në rrugëtimin tonë. /Telegrafi/