Telegrafi

Adem Huduti, kosovari që udhëhoqi grusht shtetin në Turqi (Video)

Është arrestuar gjenerali Adem Huduti, i cili sipas mediave turke ka qenë pjesë e grusht shtetit kundër qeverise turke.

Huduti është komandant i Ushtrisë së Dytë, pjesë e Këmbësorisë së Forcave të Armatosura të Turqisë, shkruan CNN Turk.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Grusht shteti në Turqi

Gjenerali Huduti është zyrtari më i lartë që është ndalur deri më tani pas ngjarjeve të mbrëmshme në Turqi.

Por kush është Adem Huduti?

Adem Huduti kishte lindur në Kosovë në vitin 1952 – atëkohë Kosova ishte pjesë e ish Jugosllavisë – ndërsa më vonë ai dhe familja e tij kanë migruar për në Turqi.

Në vitin 1973 Huduti përfundoi Akademinë Ushtarake, njofton Klan Kosova.

Për shumë vite ishte pjesë e forcave tokësore të NATO-s për Evropën Jugore, me ç’rast njohu nga afër krizat globale dhe regjionale.

Nga Gjeneral i Brigadës në vitin 1999, ai u promovua në Gjeneral Major në vitin 2004, pastaj Gjeneral i Përgjithshëm në vitin 2009 dhe në Gjeneral Lejtnant në vitin 2014.

Gjatë sulmeve të 11 shtatorit Huduti ishte pjesë e logjistikës së Brigadës së Forcave Tokësore, nën gardën e Shefit të Përgjithshëm të Departamentit për Planifikim.

Katër muaj pas sulmit kishte shërbyer në Afganistan, fillimi i vitit 2002, me vendosjen e trupave turke në Kabul.