Telegrafi

Adelina Thaçi thotë se gjendja e Cimës po përmirësohet, ndërsa bën apel për kujdes: Me kalimin e kohës virusi është forcuar, ndërsa kujdesi jonë jo

Ka tash e sa ditë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po trajtohet aktori i njohur i humorit, Rasim Thaçi – Cima.

Ai po vuan nga COVID-19, teksa për shërimin e tij ditë më parë janë kërkuar, e më pas siguruar mbi 50 antitrupa, nga vullnetarët e grupeve të gjakut A pozitiv dhe negativ, të cilët e kanë kaluar virusin.

Ishte bija e tij, këngëtarja e njohur Adelina Thaçi, e cila bëri kërkesën për dhurimin e plazmës, gjersa më pas njoftoi se ishte siguruar.

Foto: Adelina Thaçi/Instagram

Të enjten, këngëtarja Thaçi vendosi t’i mbajë të azhurnuar ndjekësit e saj në rrjetet sociale, mbi gjendjen e babait të saj, humoristit Cima, i cili po vazhdon të kurohet në spital.

Ajo ka publikuar një fotografi nga QKUK-ja, ku shfaqet me maskë dhe doreza, ndërsa bën apel që të mos neglizhohet kujdesi ndaj coronavirusit.

Foto: Adelina Thaçi/InstaStory

“Gjendja e babait ka përmirësime, por ai është ende në luftë sy më sy me covidin. Unë po bëj apel, sepse me kalimin e kohës covidi është forcuar, kurse kujdesi jonë është dobësuar. Duhet ta keni kujdesin maksimal, jo të prisni të ju prek te më të dashurit tuaj. Është bërë kohë e gjatë, disa kanë ende dilema e shumë herë po e neglizhoni, krejt jemi lodhur, por a keni vetëdije kur në pyetje është jeta! Të gjithë atyre që janë në luftë, shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Thaçi-Meta në InstaStory.

Edhe vet aktori i humorit, Rasim Thaçi, pak ditë më parë përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, njoftoi se gjendja e tij është stabile teksa po vazhdon kurën. /Telegrafi/