Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të dëgjohen përmes video-linkut, në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Fillimisht, lidhur me dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, prokurori Haki Gecaj deklaroi se mbetet pranë propozimit të dhënë edhe më parë se në qoftë se mbrojta do të pajtohet që të merren dhe të lexohen deklarata e tyre të dhëna në të gjitha fazat e procedurës edhe vetë ai do të pajtohej, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë edhe në seancat e kaluara kam deklaruar që nëse mbrojtja pajtohet, unë do të pajtohesha që të merren dhe të lexohen të gjitha deklaratat e tyre të dhëna në të gjitha fazat e procedurës në polici, prokurori dhe në shqyrtim gjyqësor dhe unë kam mbetur pranë këtij propozimi edhe tani qëndroj”, tha prokurori Gecaj.
Tutje, lidhur me këto dëshmitare prokurori propozoi që të njëjtat nëse shprehin gatishmëri për të dëshmuar, të merren në pyetje përmes video-linkut.
Ndërsa, mbrojtësi i Sekiraqës, avokati Driton Musliu deklaroi se i njëjti është i njoftuar se avokatja paraprake Kosovare Kelmendi ka dhënë pëlqimin që të lexohen deklaratat e dëshmitareve Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili të dhëna në gjykatë, por jo edhe deklarata e dhëna në polici dhe prokurori.
“Jam njoftuar se avokatja paraprake Kosovare Kelmendi ka dhënë pëlqimin që të lexohen deklaratat e dëshmitareve Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili të dhëna në gjykatë dhe jo deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori”, tha avokati Musliu.
I njëjti nuk e kundërshtoi propozimin që këto dëshmitare të dëgjohen përmes video-linkut.
Më pas, propozimin për dëgjimin e dëshmitareve Ismaili përmes video-linkut e ka aprovuar gjykatësi Kuçi.
“Aprovohet propozimi i prokurorit special që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili me qëllim të ekonomizimit të procedurës dhe moszvarritjes së saj, dëshminë e tyre ta japin përmes video-linkut”, tha gjykatësi Kuçi.
Sa i përket dëshmitarit D2, prokurori Gecaj tha se për të njëjtin në ndërkohë është munduar që në rrugë zyrtare ta gjejë kontaktin e tij, por deri tani pa sukses dhe shtoi se posa ta sigurojnë kontaktin e tij, do ta njoftojë gjykatën për caktimin e një seance për dëgjimin e të njëjtit.
Sipas avokatit Musliu, edhe avokatja Kelmendi ka kërkuar që i njëjti të sigurohet dhe të dëgjohet.
Pasi që nuk pati kushte për vazhdimin e mëtejmë të këtij shqyrtimi gjyqësor, seanca e radhës u caktua më 3 tetor 2022.