Telegrafi

Adelina Emini së shpejti me klip të ri

Këngëtarja Adelina Emini është duke punuar për të sjellë projektin e saj më të ri muzikor, i cili parashihet të jetë mjaft i veçantë.

Me tekst të vetë këngëtares, muzika është punuar nga kompozitori Darko Dimitrov. Kënga është një baladë e stilit latin, ndërsa videoklipi është duke u xhiruar në Zvicër nga produksioni PinkMoon.

Nga fotografitë e publikuara, këngëtarja duket mjaft bukur në veshjet e kreatores Teuta Matoshi Duriqi.

“Gjatë katër ditëve të xhirimeve në Zvicër, mund të them lirisht se unë dhe bashkëpunëtorët e mi, Berat Hasani nga Produksioni Pinkmoon dhe Liri Joli nga Zvicra, i cili është përkujdesur për grimin dhe flokët kemi bërë maksimumin. Kemi bërë vetëm 3-4 orë gjumë, kjo më së miri tregon punën e madhe dhe angazhimin që e kemi pasur gjatë katër ditëve të xhirimit të videoklipit. Ambienti, rrethanat, kushtet dhe rregullat që mbizotërojnë në Zvicër na kanë detyruar për shumë angazhime shtesë, në radhë të parë për sigurimin e lejeve për të xhiruar në vende të caktuara, ashtu sikurse lëvizja e pandërprerë dhe ndryshimi i lokacioneve për të arritur efektet dhe pamjet më të bukura që do t’i përshtateshin tekstit dhe ritmit të këngës. Sidoqoftë, jam shumë e kënaqur me punën dhe angazhimin që kemi bërë. Shpresoj të dalë një këngë e veçantë me një tekst të veçantë që do të përcillen bashkë me videoklip. Projekti do të publikohet shumë shpejt dhe shpresoj që do të pëlqehet nga fansat e mi dhe adhuruesit e muzikës në përgjithësi,” i ka thënë Adelina emisionit Express të KTV-së.

Projekti më i ri i këngëtares pritet të publikohet kah mesi i qershorit, ndërsa para këtij, ishte ai me titull “Afër meje”, i sjellë para nëntë muajve.