Këngëtarja e famshme, Adele, ka nisur punën në albumin e saj të ri – i cili do të jetë i pari që nga viti 2015.
Autorja e hitit “Hello” ka pasur një takim me producentët muzikorë gjatë këtij muaji dhe do të kalojë verën duke shkruar këngë të reja.
Takimi është zhvilluar në zyrat e Sonyt në Londër, ndërsa 30-vjeçarja pritet ta lansojë albumin e saj të ri kah fundi i vitit 2019.
“Ajo është kthyer në Britani të Madhe dhe ka për qëllim që të shkruajë aty. Një numër i producentëve muzikore janë shprehur të gatshëm të punojnë me të dhe ajo tashmë i ka shkruar disa këngë”, ka thënë një burim i afërt me këngëtaren.
Adele, e cila e përfundoi turneun botëror në vitin 2016, ishte tërhequr nga muzika për t’iu kushtuar familjes dhe djalit të saj pesëvjeçar, Angelo.
Asokohe ajo u kishte thënë fansave se do të mungonte një kohë të gjatë para se të kthehej sërish dhe të realizonte materiale të reja muzikore.
Dhe duket se fansat nuk do të presin më shumë se tre vjet për këngët e reja të Adele. /Telegrafi/