Në rrethinën e Fabrikës së MZT-së në Komunën e Gazi Babës, mbrëmë nga një cisternë është derdhur acid salik. Inspektorati i Qytetit të Shkupit, menjëherë ka reaguar dhe zbuluar autorin.
Për këtë incident nga ky Inspektorat kanë njoftuar në faqen e tyre në Facebook.
“Pas denoncimit nga një këshilltar komunal në Komunën e Gazi Babës, për erën e pakëndshme në rrethinën e fabrikës MZT, ekipet kujdestare të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit, menjëherë kanë reaguar dhe e kanë zbuluar autorin. Bëhet fjalë për subjekt juridik, i cili punon me prokursorë, në vendngjarje është konstatuar se çështja ka të bëjë me derdhjen e acidit salik nga cisterna. Kësisoj menjëherë janë marrë masa për parandalimin e mëtutjeshëm të derdhjes”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Qytetit të Shkupit.
Njëkohësisht, nga ky Inspektorat bëjnë me dije se subjekti juridik nuk posedon elaborat për mbrojtje të mjedisit jetësor, gjegjësisht për këtë ngjarje është përpiluar procesverbal për veprim të mëtutjeshëm.