Site icon Telegrafi

Thellohet kriza mes Iranit dhe Arabisë Saudite

Marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Iranit kanë patur ulje dhe ngritje, që nga revolucioni iranian i vitit 1979 dhe nga përpjekja e Teheranit për të luajtur një rol udhëheqës në nivel rajonal. Pozicionet e fundit anti-Iran të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe mbështetja për Riadin, sigurisht nuk e thjeshtojnë situatën. Sidoqoftë, në ditët e fundit, përplasja historike midis dy fuqive ka arritur nivele të reja tensionesh, për shkak të një numri rrethanash.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar pas të shtunës së 4 nëntorit, kur Arabia Saudite tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar një “raketë balistike” në verilindje të kryeqytetit Riad, lëshuar nga rebelët jemenitë Houthi, të mbështetur nga Irani. Raketat e lëshuara ranë pranë aeroportit ndërkombëtar të Riadit.

Pas lëshimit të tyre, princi trashëgimtar saudit Mohammed bin Salman, akuzoi Iranin për “agresion të drejtpërdrejtë ushtarak” ndaj Arabisë Saudite, sepse furnizon me raketa rebelët e Jemenit.

Teherani hodhi poshtë këtë argument dhe paraqiti një ankesë formale në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t’u mbrojtur. Përveç kësaj, presidenti iranian, Hassan Rouhani, akuzoi Riadin për nxitjen e armiqësisë në Jemen, duke forcuar pozitën e shtetit të vetëshpallur islamik dhe duke orkestruar dorëheqjen e Kryeministrit libanez Saad Hariri, si dhe duke e zhytur vendin në kaos.

“Pse treguat armiqësi ndaj popujve të Sirisë dhe Irakut? Pse e forconi Isis dhe braktisni popujt e vendeve ku ISIS bën ligjin? Pse ndërhyni në punët e brendshme dhe në qeverisjen e Libanit?”, tha Rouhani ndërkohë që i raportonte qeverisë së tij për dorëheqjen e Haririt.

Një nga ngjarjet e raportuara nga presidenti iranian është njoftimi televiziv me të cilin kryeministri libanez Saad Hariri dha dorëheqjen pasi u kthye nga vizita në Arabinë Saudite. Në fjalimin e tij, Hariri tha se ishte në rrezik për jetën dhe akuzoi Iranin për kontrollimin e rajonit, së bashku me militantët shiitë të lëvizjes Hezbollah.

Hariri është politikani sunit me më shumë ndikim në Liban dhe është më pranë mbretërisë saudite. Që nga dhjetori 2016 ai ka udhëhequr qeverinë libaneze dhe koalicioni i tij qeveritar ka përfshirë gjithashtu Hezbollahun.

Njoftimi i dorëheqjes së tij ka sjellë në Liban përplasjen e fortë mes sunitëve të mbështetur nga Arabia Saudite, dhe shiitëëve, të mbështetur nga Irani.

Njoftimi i dorëheqjes së Haririt erdhi në prag të një sërë arrestimesh nga një trupë e re anti-korrupsion në Arabinë Saudite. Ndodhi në fakt arrestimi i 11 princave dhe dhjetëra ish-ministrave në një përpjekje për të konsoliduar pushtetin e kurorës të princit Mohammed bin Salman, i biri 32-vjeçar i Mbretit.

Kjo lëvizje, së bashku me qëndrimin ndaj Iranit, ka rikthyer “luftën e ftohtë” për kontrollin e rajonit mes Riadit dhe Teheranit, tashmë në një fazë të re dhe ogurzezë.

Asnjëherë më parë këto dy vende nuk kanë qenë kaq pranë përplasjes, ballë për ballë, dhe përmes të tretëve. Por, cili është raporti i forcave, midis Iranit dhe Arabisë Saudite?

Sa i përket personelit ushtarak, është i favorshëm për Teheranin, i cili mund të llogarisë mbi 750,000 burra, kundër 400,000 të Riadit. Por, këto shifra nuk thonë asgjë.

Ndërkohë që forcat saudite nuk janë të angazhuara në ndonjë front të jashtëm (përveç qiejve të Jemenit, ku luftojnë me rebelimin shiit të mbështetur nga Irani), ushtria iraniane tani është e shpërndarë midis Sirisë, ku mbështet regjimin e Assadit dhe Irakut, ku mbështet militantët shiitë.

Jo vetëm që forcat iraniane janë të zëna në dy fronte, por Hezbollahu, organizata e fuqishme politike dhe ushtarake shiite libanez, e armatosur dhe financuar nga Teherani, ka dërguar trupat e saj më të mira në Siri, duke e lënë të pambrojtur frontin e brendshëm, ku është pashmangshmërisht më pak e fortë.

Irani është aq i projektuar në të gjithë Lindjen e Mesme, saqë ka shumë më tepër territore për të mbrojtur sesa Arabia Saudite, e cila ka mbetur brenda kufijve të saj, duke zgjedhur të përballet me Teheranin vetëm nëpërmjet aleatëve të vet.

Pa marrë parasysh atë që thonë në Teheran, Irani nuk është në një pozicion të fortë, sepse ka shumë më tepër për të humbur sesa sauditët. Por, për pjesën tjetër, të dy vendet kanë potencial të shkatërrojnë njëri-tjetrin, sepse përveç faktit se arsenalet e tyre janë plot dhe rrezja e raketave të tyre është e mjaftueshme, Riadi mund të llogarisë furnizimin me armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Teherani ka mbështetjen e Rusisë.

Nëse do të shkohet në një luftë, aspekti më i tmerrshëm i saj do të ishte përballja indirekte, por e pamohueshme, mes Uashingtonit dhe Moskës. /bota.al/

Exit mobile version