Drejtuesit e hipotekës treguan sot arsyen se perse është marrë vendimi për të pezulluar dhënien e dëshmive të pronësisë së tokave në bregdet, ku ka nisur edhe një kontroll.
Në Velipojë një fëmijë 11 vjeç është bërë kryefamiljar me grua dhe dy fëmijë që të përfitonte tokë nga Ligji 7501. Rasti është zbuluar nga hipotekat dhe po hetohet.
Skemat e mashtrimit për të përfituar tokë, nuk kanë kursyer as përdorimin e fëmijëve. Në Velipojë është zbuluar një rast që po hetohet kur një fëmijë vetëm 11 vjeç, është bërë kryefamiljar me grua dhe dy fëmijë dhe ka përfituar tokë sipas ligjit 7501.
Rasti është denoncuar nga drejtuesit e zyrës së hipotekës, të cilët janë duke bërë verifikime të gjendjes së pronave të tokave në bregdet.
“Njësia administrative vendore ka marrë plotësuar dhe ka konfirmuar aktin e marrjes së tokës në pronësi për një persona që ka qenë minoren në momentin e përfitimit të tokës bujqësore në bazë të ligjit 7501. I njëjti minoren, pasi ka përfituar tokë bujqësore në familjen e babit të tij ka përfituar edhe vetë si kryefamiljar. Ndërkohë që ka qenë vetëm 11 vjeç”, u shpreh Elion Selmanaj, drejtor i Përgjithshëm i ZRPP për Top Channel.
Në vitin 1992 i ishte nxjerrë certifikatë familjare dhe ai së bashku me tre anëtarë të familjes së tij merrte toke.
Ndërkohë që i njëjti fëmijë, ishte përfitues toke sipas ligjit 7501 si pjesëtar i familjes që sipas ligjit quhej familje bujqësore, por këtë herë me kryefamiljar babain e tij.
Ky rast është nën hetim ndërkohë dhe nuk bëhen të ditura emrat e përfituesve, por ato janë së bashku me shumë raste të tjera të zbuluara nga kontrolli në zyrat e hipotekës. Në disa raste sipas drejtuesve të hipotekës palë janë bërë edhe vetë gjykatat.
“Këto gjetje do t’i referohen edhe task forcës së ngritur pranë kryeministrit dhe në përfundim të një hetimi të thelluar administrativ do t’u përcillen edhe të gjitha organeve ligjzbatuese”, thotë Elion Selmanaj.
Shtimi në mënyrë fiktive i sipërfaqes së tokës nëpërmjet vendimeve gjyqësore, apo edhe skema klasike e ndryshimit të zërave kadastrale, janë mënyrat e tjera të grabitjes së tokave në bregdet. Raste të ngjashme janë verifikuar në Rrogozhinë dhe Kavajë, ndërsa qeveria vendosi të pezullojë efektet e ligjit për ndarjen e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore. Një Task-Forcë është duke punuar për të verifikuar të gjithë tokën një kilometër e gjysmë nga vija bregdetare.