Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se kategorizimi i pensioneve për veteranët e UÇK-së, është zgjidhja më kreative që e kanë bërë në presion të kohës dhe në presion të kërkesave të FMN-së. Kurse, sa i përket procesit të verifikimit, ai tha se është proces më i gjatë ku shumë akterë janë duke punuar në këtë drejtim.
Në konferencën e fundit për këtë vit, ai ka thënë se gjatë vitit 2016 rreth 26 mijë familje përfituan ndihma sociale, e mbi 41 mijë pensionistë kanë marrë pensione të kategorizuara.
Abrashi ka thënë se si Ministri njohin vetëm Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dhe jo Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, të drejtuar nga Xhevdet Qeriqi.
“Synimi themelor edhe i imi sepse ligji ka shkuar si i sponsorizuar nga Ministria e Punës ka qenë ndërtimi i një konsensusi te të gjitha palët. Po flasim për një kategori e cila ka filluar të trajtohet me ligj tani këto dy vite dhe kemi qenë para një presioni të madh buxhetor dhe një presioni të madh të fyerjes së listave. Është dashur të ndërtohet një konsensus bashkë me shoqatat e dala nga lufta që ne të arrijmë të një ligj i cili kënaq të gjitha kërkesat. Edhe shoqatat kanë qenë të shqetësuara se a do të shkojë si i tillë deri në fund apo do të ndryshohet dhe të shkelet marrëveshja që ne jemi pajtuar”, tha Abrashi. /KP/