Vendimi që familjarëve të dëshmorëve të ju ndalen pensionet ka bërë që Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi të paralajmërojë protestë të mundshme në ditën e premte.
Ndërsa Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi në një prononcim për Indeksonline ka theksuar që ka mundësi që përgjatë kësaj jave të bëhet një ndryshimi apo plotësimi i ligjit të vendosur rreth ndarjes së pensioneve.
“Ka mundësi të bëhet një ndryshim apo plotësim i ligjit që disa pensione të mos ndalen por që duhet të shikohet se cilat nga këto kategori do të kenë mundësi që të vendosin rreth marrjes së dy pensioneve më të favorshme që nënkuptohet pensioni më i lartë”, ka thënë Abrashi.
Sipas tij ky plotësim i ligjit ka nevojë për pak kohë derisa të vendoset se cilat kategori apo baziku i dëshmorëve që duhet të ndërlidhet me këtë ndarje, pasi janë rreth 20 skema se ku munden të merren këto pensione.
“Ndërsa sipas vendimit që është marrë tani nëse dikush i lëshon pagesat atëherë mundet edhe të dënohet pasi që ky vendim është i ngritur nga auditori. Ligji është i vendosur në bazë të auditorit dhe pritet që të bëhet ky plotësim/ndryshim i këtij ligji gjatë kësaj jave”, ka shtuar Abrashi.
Pra duhet përkujtuar që është mundësia të zgjidhet një por të jetë më e lartë apo më i favorshëm si pension.
Kurse Bahri Xhaferi nga Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë për Indeksonline se ky vendim është i bazuar në dispozitat dhe financimet e realizuara nga shteti.
“Është një vendim i bazuar në dispozitat dhe financimet pensionare të realizuara nga shteti dhe njëkohësisht është i bazuar në auditorin e përgjithshëm”, ka thënë Xhaferi.
Ndërsa sipas tij vendimi është i tillë dhe i bazuar në ligj.
“Pagesat e pensioneve do t’u bëhen atyre njerëzve që i plotësojnë kriteret dhe do ti paguhet pensioni i cili është më i favorshëm”, ka shtuar Xhaferi.
Sipas tij pala në fjalë ka të drejtë të zgjedhë për pensionin më të favorshëm.
“Dhe me pensionin më të favorshëm kuptohet pensioni më i lartë domethënë nëse X-personi ka marrë deri tani dy apo tri pensione tani do të vendoset që ti jepet pensioni i cili i takon dhe i cili është më i lartë”, ka sqaruar Xhaferi.
Ndërsa sipas tij është e vërtetë se në disa raste të vogla ka pasur ndërhyrje të shpejtuar dhe në muajin tetor pritet të bëhen përmirësime.
“Pasi që ligji për skemat pensionale na ka mundësuar që ato çfarë janë të caktuara me atë ligj që njerëzit të mos marrin pensione të tjera të cilat financohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka shtuar Xhaferi.
Ndërsa sipas tij familjarët tashmë kanë qenë në dijeni për këtë gjë, pasi sipas tij në çdo takim me subjektet të cilat përfaqësojnë këtë kategori të njerëzve i kanë pasur të ditura tashmë informacionet rreth këtyre ndalesave.
“Ne kemi pasur takime me subjektet të cilat përfaqësojnë këto kategori të njerëzve në kuadër të pensioneve dhe të gjitha këto vendime për ndalesat që janë bë ata i kanë pasur të ditura”, ka përfunduar Xhaferi./Indeksonline/