Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha sot se personat me sindromën Down meritojnë vëmendje dhe përkujdesje më të madhe të shoqërisë.
Ai këto komente i bëri sot në Prizren me rastin e hapjes së lokalit “Bistro Garden X21”, i cili ka për qëllim të inkurajojë personat me sindromin Down.
Në hapjen e këtij lokali mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi i cili tha se ky aktivitet ngrit vetëdijen e shoqërisë për t’u përkujdesur për personat me sindromën Down.
“Kjo po i ndihmon edhe institucionet publike të Kosovës që të ngrihet vetëdija për këtë kategori të qytetarëve të Kosovës. Mendoj që kjo kategori e qytetarëve meriton një vëmendje më të madhe dhe do një përkujdesje më të madhe”, tha Abrashi.
Ai potencoi se problemi më i madh për këtë kategori është qëndrueshmëria financiare, por që edhe ajo ka filluar të përmirësohet.
E drejtoresha e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini- Beqiri, ka thënë se shoqata ka ideuar programe që kanë për qëllim aftësimin e personave me sindromën Down për jetë të pavarur.
Ajo tha se për këtë çështje presin mbështetje më të gjerë nga institucionet vendore dhe qytetarët.
Ndryshe, lokali i cili është hapur sot gjendet në lagjen Ortakoll në hyrje të tregut të gjelbër, dhe për momentin ka të angazhuar 6 anëtarë të shoqatës.
Për hapjen e lokalit kanë kontribuuar organizata të ndryshme, duke blerë pajisjet për hapjen e tij. /kp/Telegrafi/