Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka folur për prioritetet ekonomike të kësaj partie në një koalicion të mundshëm me LDK-në.
Abrashi në RTV Dukagjini ka thënë se AAK e ka paraparë shumë herët këtë krizë në të cilën po kalon Kosova prandaj ka propozuar që çdo person në Kosovë të merr nga 100 euro.
Ai thotë se po bëhet një disbalancë mes sektorit publik dhe atij privat kur dihet se ata në sektorin publik të ardhurat personale i kanë marrë me kohë.
Deputeti thotë se janë rreth 97 mijë aplikime nga sektori privat që presin të marrin ndihmat e ofruara nga shteti e që nuk po mund t’i marrin.
Abrashi thotë se përderisa shteti u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi propozimi i AAK-së ka qenë që atyre t’iu jepen nga 100 euro në mënyrë që sipas tij të mund të zbatohet vendimi për qëndrim në shtëpi.
Deputeti i AAK-së thotë se qeveria e re parasheh që të injektojë një shumë mbi 300 milionë euro në ndihmë të sektorit privat.
“Prioriteti ynë i parë i ynë në qeveri do të jetë projekti i rimëkëmbjes dhe paketa anti-covid që do t’i jep mbështetje sektorit privat që është gjeneruesi më i madh i të ardhurave në buxhet”, tha ndër të tjera Gazmend Abrashi./Telegrafi/