Telegrafi

Abrashi: Kosova bëri shkelje të marrëdhënieve ndërkombëtare kur dëboi zyrtarin rus të UNMIK-ut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka shpallur person non-grata një zyrtar rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës,

Njohësi i politikës së jashtme, Emir Abrashi thotë se çështje e shpalljes non-grata të ndonjë personi është e rregulluar me Konventën e Vjenës.

“Një shtet mund të shpall non-grata diplomatin e një tjetër shteti, por kjo nuk vlen edhe për punonjësit e Kombeve të Bashkuara. Në rastin konkret Kosova nuk është dashur të ndërmarr një veprim të tillë pasi kjo nuk është në përputhje me Konventën e Vjenës”, tha ai.

Abrashi në RTV Dukagjini tha se Kosova me këtë veprim ka shkelur marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës dhe sipas tij shteti mund të ketë disa pasoja.

“Në rastin më të mirë mund të ketë një vërejtje për Kosovën, ndërsa në rastin më të keq, UNMIK-u mund ta mos përfill këtë vendim dhe t’ia vazhdojë mandatin zyrtarit rus dhe Kosova nuk mund të bëjë asgjë për ta nxjerrë jashtë vendit pasi ai gëzon imunitet”.

Abrashi thotë se Kosova mund të gjendet në një pozitë të vështirë nëse UNMIK-u nuk e largon atë punëtorë nga Kosova./Telegrafi/