Telegrafi

Gazmend Abrashi mohon akuzat për ofendime ndaj Agim Vatovcit

Gazmend Abrashi, këshilltar i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj akuzave që i ka bërë kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci.

Vatovci, ka lëshuar akuza në drejtim të këshilltarëve të kryeministrit në dorëheqje, duke thënë se njëri prej tyre e ka nxjerrë jashtë prej një mbledhjeje, madje edhe duke e sharë me nënë.

Madje Vatovci ka përmendur emrat e Gazmend Abrashit dhe Jahir Morinës, që, sipas tij, nuk po e lënë të futet në zyrën e kryeministrit e as nëpër mbledhje.

Në një deklaratë dhënë Telegrafit, Gazmend Abrashi, ka thënë se nuk e kupton se në çfarë rrethane e ka përmendur emrin e tij Vatovci.

Lexo po ashtu “Këshilltarët e Haradinajt më shanë..., dhe jo vetëm”: Kërkohet veprim i Prokurorisë për deklaratat e Agim Vatovcit

Abrashi ka thënë se asnjëherë nuk ka përmendur fjalë banale ndaj Vatovcit.

“E kam njohur dhe e njoh si mik, Agim Vatovcin. Nuk e kuptoj kontekstin në çfarë relacioni e përmend emrin tim. As nuk e di për cilën rrethanë po flet në teatër, as ndonjëherë se kam përmend ndonjë fjalë banale ndaj tij, por jo vetëm ndaj tij. Dhe më ka çuditë fakti, po ashtu nuk po e kuptoj për çfarë më ka apostrofuar në këtë rast”, ka thënë Abrashi.

Ndryshe lidhur me këtë ka reaguar edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili i ka bërë ftesë publike Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezit dhe ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të PSRK, Afrim Shefkiu, që të reagojnë lidhur me deklaratat e bëra nga Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci, në drejtim të këshilltarëve të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Siç ka thënë Miftaraj, ky rast duhet të sqarohet nga organet kompetente dhe inicimi dhe mbrojtja duhet të fillojnë nga Prokuroria. /Telegrafi/