Site icon Telegrafi

Abrashi: Mijëra veteranë lanë punën, për të marrë pensionin

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se Ligji për veteranët e luftës që u siguron atyre pensionin prej 170 eurove në muaj, ka bërë që shumë prej tyre të lëshojnë vendet e tyre të punës me qëllim që të përfitojnë këtë pension.

Ai në emisionin “Republika” në Tribuna Channel, ka deklaruar se ligji në fakt në vend se të ndihmonte këtë kategori, ka dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës e edhe vet veteranët që kanë lëshuar punën e tyre të rregullt.

“Ne jemi duke bërë ende kalkulime, por dimë se janë disa mijëra persona që kanë lëshuar punën për të përfituar pensionet e veteranëve. Kjo është parë sidomos ne zonat rurale ku shumë njerëz kanë braktisur punën, gjë e theksuar sidomos në ndërtimtari”, ka thënë Abrashi në “Republika”

Abrashi ka theksuar gjithashtu se ata si Ministri kanë të njohur një numër të madh të veteranëve që kanë një jetesë të mirë dhe me punët e tyre do të jetonin mjaft mirë, por ata kanë preferuar të lëshojnë punën për ta përfituar pensionin.

Ai tha se problemet e shumta që kanë përcjellë gjithë procesin e verifikimit të pensioneve për veteranët e luftës në Kosovë, shpejt mund të përfundojnë.

“Është afër një vendimi final, që të jepet një shumë e pensioneve finale, e cila nuk do të ndryshohet më, u doli apo jo të gjithë veteranëve. Kjo është shuma e vendosur për kompensimet e juaja, e ju vendosni kush është veteran e kush jo””, tha Abrashi.

Ai ka thënë se i gjithë procesi me rritjen e veteranëve, dhe me pamjaftueshmërinë për të dhënë për të gjithë pensionin, ka bërë që të rrezikohet edhe marrëveshja me FMN-ën.

“Ne jemi afër edhe prishjes së marrëveshjes me FMN. Dhe ajo çka do bëhet është edhe një negocim për ndryshimin e shumës finale që është 25 milionë, dhe më pas do kemi një vendim final për mos ndryshim të kësaj shume”, ka thënë Abrashi./GazetaTribuna/

Exit mobile version