Site icon Telegrafi

Abrashi: Mbi 210 milionë euro investime në hekurudha, Kosova po futet në hartën e investitorëve të huaj

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me drejtorin e Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Komisionit Evropian, Matthew Baldwin, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe drejtorin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Neil Taylor hapën sot një punëtori kushtuar Planeve të Veprimit të Komunitetit të Transportit.

Pas sesionit të hapjes në Prishtinë, palët e interesuara rajonale u përfshinë në diskutime online se si të fillohet zbatimi i Planeve të Veprimit në Kosovë.

Abrashi deklaroi se Planet e Veprimit u miratuan nga të gjithë partnerët rajonalë në Këshillin Ministror në muajin tetor 2020.

“Për Republikën e Kosovës është shumë e rëndësishme që po kompletohet infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, duke bërë kështu që vendi ynë të futet në hartën e investitorëve potencial duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, por edhe qarkullimin e mallrave”, tha Abrashi.

Ndërsa, Zakonjsek tha se katër Planet e Veprimit për Rrugën, Lehtësimin e Transportit, Hekurudhën dhe Sigurinë Rrugore janë një manual udhëzues për të gjitha hapat dhe piketat e rëndësishme për të arritur qëllime konkrete.

“Rrugë më të sigurta, koha e reduktuar e pritjes në pikat kufitare, hekurudhë e besueshme dhe moderne, dhe rrugët e së ardhmes me elementë të integruar jeshilë dhe dixhitalë. Gjatë vizitës zyrtare të sotme në Kosovë, ne gjithashtu do të bëjmë ndalesa në auto-udhët e Kosovës për të nxjerrë në pah rëndësinë e kontrolleve anësore të rrugës për sigurinë e përgjithshme të trafikut dhe në hekurudha, ku hekurudha moderne po rindërtohet falë financimit të BE-së”, tha Zakonjsek.

Ai shtoi se planet janë në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon investime të BE-së në projektet e transportit dhe lidhjes që do të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm në rajon dhe lidhje më të mira me BE-në.

Gjatë kësaj punëtorë, u zhvillua edhe një vizitë në Hekurudhat e Kosovës, bashkë me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti, ku po zhvillohen punimet në modernizimin e Hekurudhës 10, nga Hani i Elezit deri në Fushë-Kosovë, që është pjesa e parë e rehabilitimit.

Ky investim parasheh modernizimin e hekurudhës deri në Leshak të Mitrovicës, ku vlera e projektit kalon shifrën e 210 milionë eurove.

Ministri Abrashi tha se faza e dytë e rehabilitimin të hekurudhës fillon këtë vit dhe fazë e tretë deri në kufi me Serbinë.

“Investimet që po i bënë Qeveria e Kosovës po e kthejmë Kosovën në udhëkryq të transportit të mallrave dhe njerëzve dhe në hartën e investimeve të huaja”, tha Abrashi. /Telegrafi/

Exit mobile version