Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se Marrëveshja për sigurime sociale ndërmjet Konfederatës së Zvicrës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të finalizohet deri në gjysmën e këtij.
“Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me ministrinë përkatëse të Konfederatës së Zvicrës, qeveritë e dy vendeve në fund të vitit 2016 kanë aprovuar vendimin për fillimin e negociatave në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për arritjen e një marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale”, ka thënë Abrashi për RTKlive.
Sipas tij, raundi i parë i bisedimeve është mbajtur në janar të vitit 2017 përderisa raundi i dytë do të mbahet gjatë muajit prill të këtij viti.
“Besojmë se marrëveshja në mes të dy ministrive do të finalizohet deri në gjysmën e këtij viti, ndërsa procedura e mëtutjeshme parasheh që kjo marrëveshje të shkojë për ratifikim në parlamentet e të dyja vendeve sipas legjislacioneve përkatëse. Varësisht se kur do të ratifikohet marrëveshja në parlamentet përkatëse edhe do të hyjë në fuqi. Shpresojmë që edhe procedurat e ratifikimit do të shkojnë shpejt ashtu si edhe bashkëpunimi i suksesshëm në mes të dy ministrive përkatëse dhe se marrëveshja do të ratifikohet brenda këtij viti apo më së largu deri në gjysmën e parë të vitit 2018”, ka thënë Abrashi. /Telegrafi/