Site icon Telegrafi

Abrashi: Kosova rihap aeroportin brenda dhjetë ditësh

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, tha se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.

Ato janë ndërprerë qysh në muajin mars, për shkak të pandemisë COVID-19.

Abrashi tha se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.

“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19, të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi për REL.

Abrashi në mbledhjen fundit të qeverisë ka propozuar të nisin konsultimet për hapjen e transportit ajror.

Lexo po ashtu Abrashi propozon të nisin konsultimet për hapjen e transportit ajror

“Në këtë pjesë, mendoj se edhe hapja e fluturimeve është mjaftë e rëndësishme. Prandaj me lejen e juaj do të kisha filluar konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil me MSH-në dhe kompanitë ajrore që të rifillojnë fluturimet duke zbatuar masat ndaj COVID-19 në mënyrë që të marrim një miratim”, tha ai.

Kosova ka regjistruar rastet e para me COVID-19 më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.

Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.

Në Kosovë, gjithsej 1,263 raste janë konfirmuar me COVID-19, prej tyre 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur. /Telegrafi/

Exit mobile version