Site icon Telegrafi

Abrashi: Kosova nuk kërkoi ndihmën e KFOR-it për verifikimin e veteranëve

Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmën e KFOR-it, por as të një institucioni tjetër relevantë për të zbardhur listat nga koha e demilitarizimit të UÇK-së për të zgjidhur problemin e numrit të madh të veteranëve.

Kështu është shprehur Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një intervistë për Ekonomia Online, duke thënë se verifikimi i veteranëve ka qenë mandat i Komisionit Qeveritar, andaj nuk kanë kërkuar lista shtesë për këtë çështje.

Ai ka pohuar se nuk kanë pritur asnjëherë që të ketë një numër kaq të madh të veteranëve.

“Është e vërtetë që nuk e kemi prit, Qeveria në këtë rast sepse Komisioni ka vepruar si i pavarur dhe nuk e ka pritur këtë numër, gjithmonë është fol për një numër më të vogël por ky është numri për të cilin ky Komision Qeveritar që ka pasur përfaqësues nga të gjitha zonat në krye me zotëri Çekun ka dal me raport që kanë qenë 46 mijë“, ka thënë Abrashi.

I pari i MPMP-së ka vazhduar duke treguar se me plotësim ndryshimin e Ligjit për pensionistët kategorizimi do të bëhet në disa shkallë. Ndërkaq për ushtarët që janë angazhua më herët, dhe ata në fazën e fundit të mobilizimit do të bëhet edhe një seleksionim ekstra nga ata të cilët nuk jetojnë më në Kosovë, “ose kanë vepruar jashtë por kanë në certifikatë statusin e veteranit”.

“Do të thotë ata nuk preken por vazhdojnë të jenë, por nuk do të kenë benificione sikur ata që janë këtu. Kjo do të ketë një lehtësi në buxhet por tani disa grupe e kanë dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe ne presim edhe vendimin final të Gjykatës Kushtetuese që të shikojmë se ku duhet të veprojmë tutje”, ka thënë Abrashi.

Exit mobile version