Qeveria e Kosovës ka në dispozicion gjithsej 38 milionë euro për vitin 2017 për pensionet e veteranëve të UÇK-së. Kjo shifër do të jetë e pamjaftueshme që të gjithë veteranët aktual të marrin pensionet që u takojnë sipas ligjit.
Kështu ka njoftuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abarashi, i cili ka thënë se zgjidhje e vetme do të jetë pastrimi i listave të veteranëve, transmeton ORAinfo.
Abrashi ka thënë se gjatë ditëve në vijim do të takohet me organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, nga të cilët do të kërkojë pastrimin e listave të veterane , në mënyrë që veterinat e vërtetë t’i gëzojnë pensionet që u takojnë.
“Ne duhet të punojmë me përfaqësuesit e veteranëve që të gjejmë zgjidhje, qoftë edhe me pastrimin e listave”, ka thënë Abrashi në një intervistë në RTK, përcjell ORAinfo.
Ai ka thënë se numri i veteranëve që marrin pensione është dyfishuar.
“Fillimisht kane qenë 12- 14 mijë veteranë që kanë pasur të drejtë në marrjen e pensioneve dhe ky numër në shtator ka arritur në 28 mijë e 100 persona, që do të thotë se ky numër është dyfishuar”, ka thënë Abrashi.
Ai ka njoftuar se për këtë çështje janë marrë vesh me FMN-në që të ndahet një buxhet fiks për pensionet e veteranëve dhe me atë buxhet duhet menaxhuar.
“38 milionë euro për vitin 2017 do t’i kemi për pensionet e veteranëve dhe duhet të menaxhojmë me këtë buxhet”, ka thënë Abrashi.