Shqipëria provon te luajë kundër parashikimeve të mërkurën në Marsejë përballë Francës.
Lojtarët, stafi teknik dhe tifozët presin shumë nga sfida përballë “gjelave” dhe sipas Amir Abrashit pikënisja e Kombëtares duhet të jenë dy miqësoret e luajtura ndaj skuadrës së Deschamps gjatë kualifikueseve të Euro 2016.
“E kemi analizuar shumë mirë Francën. Në ndeshjet e fundit miqësore kundër tyre jemi paraqitur mirë. Duhet të përmirësojmë gabimet që kemi bërë me Zvicrën prej sfidës me francezët dhe besoj se Kombëtarja do të luajë mirë”.
Motori i mesfushës së Kombëtares beson se kuqezinjtë mund të përfitojnë nga presioni që kanë francezët dhe mund të marrë rezultat pozitiv. Por, që kjo të arrihet, duhet të evitohen gabimet dhe të mos pësohet një tjetër goli shpejt, raporton Supersport.
“Kemi treguar që nuk u trembemi skuadrave të mëdha. Normale që Franca është më e impenjuar sepse luan në shtëpi, por do të kenë edhe presion nga tifozët. Nuk duhet të pësojmë gola të shpejtë për ti dhënë skuadrës besim dhe të përmirësojmë gabimet. Mendoj se mund të dalim nga kjo sfidë me rezultat pozitiv”.
Abrashi iu kthye ndeshjes me Zvicrën, ku edhe pse nuk shkëlqeu si zakonisht në fushë, theksoi se jep gjithmonë maksimumin për fanellën e Kombëtares.
“Motivimin e kemi në çdo ndeshje kur hyjmë në fushë, sidomos tani që jemi në Kampionatin Europian. Zvicra është një kundërshtar i vështirë, ata më njohin mua, unë i njoh ata dhe kjo ndoshta ka ndikuar. Megjithatë, unë jap gjithmonë maksimumin kur luaj me Kombëtaren”.
Në fund, mesfushori vlerësoi edhe Elseid Hysaj-n, që prej mungesës së Lorik Canës do të jetë kapiten ndaj Francës, ndërsa pas paraqitjes me Zvicrën përfundoi në listën e dëshirave të Arsene Wenger, që është gati të paguajë afro 19 milionë euro për ta transferuar te Arsenali.
“Hysaj është lojtar i ri, por ka luajtur shumë ndeshje në Serinë A. Për të nuk është problem të jetë nën presion, ai na jep garanci dhe na ndihmon si kapiten dhe si lojtar. Për sa i takon të ardhmes së tij dhe interesit nga Arsenali apo Barcelona për këtë duhet të flasë vetë Elseidi, dhe ndoshta e bën në të ardhmen”.