Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për lehtësimin e qarkullimit në Prishtinë.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se marrëveshja e sotme është finalizim i një pune disa mujore. Ai bëri të ditura edhe projektet që përfshinë kjo marrëveshje.
“Hyrja prej Grashticës, zgjerimi i rrugës për Hajvali, një lidhje e rrugës për Podujevë, do të përkrahim edhe financimin e Rrugës A, si dhe është edhe një marrëveshje me Asociacionin e Arkitekteve. Besoj që vitin e ardhshëm disa prej këtyre projekteve kanë me marrë formë dhe do të realizohen”, tha ai.
Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se kjo është një marrëveshje që e vendos me të vërtet Prishtinën prioritet, pasi koordinohen ministria dhe komuna së bashku për menaxhimin e rrugëve dhe komunikacionit, raporton KP.
“Rruga A është në buxhetin për vitin 2021. Po ashtu e kemi edhe ndërtimin e kolektorit në Hajvali, e cila mund te quhet një para lagje e Prishtinës për shkak të numrit të madh të banorëve. Kjo marrëveshje është një lajm i mirë që përkundër përkatësisë politike gjithmonë ka mundësi për bashkëpunim”, tha ai.