Telegrafi

Abrashi: Banka Botërore mund të ndihmojë në punësim

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi ka pritur në takim pune sot përfaqësues të Bankës Botërore me të cilët u zhvilluan biseda për çështje të ndryshme të interesit të përgjithshëm.

Ministri Abrashi i njoftoi ata me sfidat dhe planet që ka ai dhe ministria të cilën e drejton, duke qenë i hapur për bashkëpunim në mënyrë që ato të realizohen sa më mirë dhe të jenë në favor të qytetarëve.

Në takim u diskutuan çështje të ndryshme si Ligji i Punës, çështjet që kanë të bëjnë me punësimin dhe me theks të veçantë mbështetja që Banka Botërore mund të ofrojë përmes asistencës teknike në fusha te ndryshme si në çështjet e punësimit, pensioneve dhe shërbimeve sociale.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën të gatshëm që tu përgjigjen shpejt kërkesave të ministrisë për ta përkrahur në mënyrë që asistenca teknike e ofruar të realizohet brenda një afati sa më shkurtë. /Telegrafi/