Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë si folës në Konferencën Hapëse të Javës së Gruas 2024, të ftuar nga institucioni prestigjioz National Democratic Institute (NDI).
Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku ka shpalosur vizionin e LDK-së për një të ardhme që ofron më shumë barazi dhe gjithëpërshirje për gratë në shoqëri dhe në tregun e punës.
Duke u bazuar në iniciativën “Rruga e re”, Abdixhiku ka prekur çështje të rëndësishme siç janë aktivizimi dhe fuqizimi i gruas në shoqëri, si dhe ka vënë në dukje reformën e brendshme në LDK që synon avancimin e gruas në pozitat udhëheqëse në parti dhe në qeverisjen lokale.
“Jemi krenarë që kemi rritur ndjeshëm pjesëmarrjen e gruas në të gjitha nivelet partiake dhe kemi vendosur standarde të reja për përfaqësimin e gruas dhe përgjegjësinë në qeverisjen komunale,” tha Abdixhiku. “Nën moton ‘gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm’, ne kemi kaluar nga politikat e shkruara në veprime konkrete dhe tashmë shohim rezultate të prekshme.”
Kryetari i LDK-së theksoi se beteja për një shoqëri të barabartë, ku gratë dhe vajzat janë të barabarta, duhet të jetë një mision kolektiv.
“LDK do të jetë gjithmonë në ballë të barazisë gjinore dhe do të vazhdojë të jetë shembull pozitiv në këtë fushë,” përfundoi ai.