Agjencia për Barazi Gjinore e Republikës së Kosovës, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, ka reaguar përmes një komunikate, ku ju përkujton subjekteve politike, pjesëmarrës në fushatën elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11-të qershorit 2017, respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës neni 6-të, pika (8-të) për përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative me përfaqësim 50 për qind për secilën gjini.
“Agjencia ju përkujton subjekteve politike se një përfaqësim i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike e legjislative të vendit është reflektim dhe zbatim i drejtpërdrejtë si dhe jetëson Kushtetutën e Kosovës sipas së cilës Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, barazia gjinore është vlerë themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe duhet të përshkojë listat zgjedhore për përfaqësim të barabartë.
Gjithashtu, kjo agjenci ka kërkuar nga subjektet politike që gjatë fushatës elektorale të shmangin gjuhën seksiste, të dhunshme dhe stereotipat gjinore.