Kryeministri japonez, Shinzo Abe i kërkoi sot drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un të kapërcenin së bashku mosbesimin e ndërsjellë dhe konfirmoi se po bëheshin përpjekje në kuadër të zhvillimin të një samiti.
Në një intervistë televizive, Abe theksoi se qeveria e tij kishte kontaktuar me palën koreano-veriore nëpërmjet mjeteve të ndryshme për të realizuar një takim me Kim.
Gjatë një samiti historik të martën në Singapor me presidentin amerikan, Donald Trump, Kim ishte treguar i gatshëm, sipas medias japoneze, të takohej me Aben.
“Gjatë samitit, Kim i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump se mund të takohej me kryeministrin japonez, Shinzo Abe”, njoftoi e përditshmja Sankei.
Japonia, e përjashtuar nga balloja diplomatike e muajve të fundit, kërkon të negociojë me Phenianin për çështjen e shtetasve japonezë të rrëmbyer nga agjentët koreano-veriorë në vitet 1970 dhe 1980 për të trajnuar spiunët, çështje që mbetet prioritet.
“Dëshiroj të bëj një hap përpara për zgjidhjen e kësaj çështjeje pasi të kemi kapërcyer mosbesimin e përbashkët”, deklaroi Abe duke nënvizuar se e ndjente si detyrë zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Abe e shprehu publikisht gatishmërinë e tij për t’u takuar me Kim Jong Un.