Analisti politik Faton Abdullahu, ka folur për vendimin e mundshëm lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë që pritet ta japë Gjykata Kushtetuese më 29 maj.
Abdullahu tha se Gjykatës Kushtetuese po i bëhet presion.
“Ka indikacione dhe fakte që më shtyjnë mua të brengosem dhe të them se ndoshta në forma të ndryshme që po bëhët njëfar lloji përzierje për të mos thënë presion tek ata gjyqtarë. Ata janë profesionistë, janë familjarë. Nëse kemi qasje se nëse gjykata nuk nxjerr një vendim që më konvenon mua, unë do të revoltohem atëherë kjo është brengosëse”, tha Abdullahu, në Info Magazine në Klan Kosova.
Ai shtoi se heqja e rrethojave nga oborri i qeverisë është një formë tjetër e kërcënimit për Kushtetuesën.
“Nuk është lehtë të përcaktohet se çka i bie presion dhe kërcënim. Por, po ngritet tensioni edhe në forma të ndryshme sikur me heqjen e rrethojave te qeverisë. Kjo i bie që me këtë nëse ju na sillni një vendim që nuk na përshtatet neve, ne e kemi më të lehtë me iu ra në qafë. Presion është edhe kur thuhet se unë e pranoj vendimin nëse Gjykata Kushtetuese është me mua”, tha ai.