Telegrafi

Abdullahu: Furnizimi me ujë vazhdon, problem Drenasi

Reshjet atmosferike si dhe shkrirja e borës ka bërë që të rriten niveli i ujë, ku përveç vërshimeve në disa pjesë ka bërë që të ketë probleme për furnizim me ujë të pijes për shkak të turbullimeve.

Problem për furnizim me ujë të pijes më së shumti ka Drenasi.

Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu ka thënë për Telegrafin se furnizimi vazhdon me përjashtim të Drenasit.

“Furnizimi vazhdon si zakonisht në zonën e shërbimit që e ka KRU ‘Prishtina’ me përjashtim të Drenasit i cili furnizimin me ujë të pijes e trajton nga kanali i Iber Lepencit ku shkalla e turbullimit vazhdon të jetë mbi 20 NTU dhe po shpresojmë që në orët e pasdites të fillojë prodhimi edhe nga Fabrika për Trajtim të ujit për pije në Drenas”, tha ai, shkruan Telegrafi.

Sipas Abdullahut, liqeni i Badovcit ka shënuar ngritje të nivelit i cili i jep kësaj kompanie, siguri për furnizim me kapacitet të plota gjatë muajve të verës.

“Batllava ka javë që është në kapërderdhje dhe sa i përket niveleve të akumulacioneve është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët në zonën e shërbimit”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina” Ilir Abdullahu. /Telegrafi/