Site icon Telegrafi

Abdixhiku:Vuçiqi e quan Millosheviqin lider të madh nga i cili inspirohen edhe sot të gjithë në Serbi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë rreth masakrës së Reçakut.

Abixhiku, ka numëruar disa raste kur udhëheqësit e shtetit serb kanë thënë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid dhe se masakra e Reçakut ‘është inskenim’.

Deputeti, ka theksuar më tej se pas gjithë këtyre veprimeve që i ka bërë Serbia, Evropa nuk ka bërë asnjë reagim.

“Pushtet, shtet e opozitë, në një mendje e një zë – çnjerëzorë. E Evropa? Evropa asnjë reagim. Serbisë i hapë edhe një kapitull të ri. E quan rrugën e saj përparim. Liderët e tillë i quan evropianë. Kosovën vazhdon ta mbajë si vendin e vetëm në rajon pa liberalizim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, transmeton Telegrafi.

Shkrimi i plotë:

Kështu,

– Presidenti i Serbisë e quan Millosheviqin lider të madh nga i cili inspirohen edhe sot të gjithë në Serbi.

– Kryeministrja serbe thotë se në Kosovë e Bosnje s’kishte gjenocid, meqë “ishin vrarë vetëm meshkujt e jo të gjithë”.

– Ministri i Punëve të Jashtme serb mohon Reçakun; vendin ku u masakruan civilët shqiptarë; pamje që u panë botërisht. Thotë se ishte inskenim.

– Ministri i Punëve të Brendshme pret me ceremoni shtetërore ushtarakët e dënuar në Hagë për krime kundër njerëzimit në Kosovë. I quan heronjë.

– Opozita serbe djegë flamuj Kosove, NATO e Evrope; fishkëllon zyrtarë ndërkombëtarë e proteston kundër integrimit evropian.

Pushtet, shtet e opozitë, në një mendje e një zë – çnjerëzorë. E Evropa? Evropa asnjë reagim. Serbisë i hapë edhe një kapitull të ri. E quan rrugën e saj përparim. Liderët e tillē i quan evropianë. Kosovën vazhdon ta mbajë si vendin e vetëm në rajon pa liberalizim.

Presidenti i Kosovës, ndërsa i prinë thirrjeve nëpër botë për “pajtim”. Thotë se duhet lënë vet me Aleksandrin sepse “s’janë problematik”. Në OKB, Ministri i Jashtëm i joni thotë se me serbët, shqiptarët, s’kishin asnjëherë dhe s’kanë asnjë konflikt.

20 vjet pas lufte, kush do ta kishte menduar një përfundim të tillë. Veç një klasë inkompetente, që as nuk din e as nuk mundet, e sjellë vendin në një gjendje të tillë./Telegrafi./

Exit mobile version