Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar minatorët e Trepçës, të cilët janë në grevë më shumë se tri javë, për shkak të mos ekzekutimit të pagave për dy muajt e kaluar.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se minatorët e Trepçës po futen në muajin e tretë pa paga.

Ai tha se “në ditën e 27-të të ndaljes së punës nga ta, qëndrova në Trepçë. U prita dhe nga Kryetari i Sindikatës së Minatorëve Ibrahim Januzi, e nga Kryesia e kësaj sindikate”.

“Çdo involvim i yni partiak, barte rrezikun e politizimit të kauzës së tyre. Por neglizhenca institucionale, e shtetit, e qeverisë popullsite, e vargut të gjatë të atyre përfituesve që Trepçën e Minatorët i përdorin si pamflet elektoral një përdorimësh, ka bërë observimin tonë të duket i pakuptimtë”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

Abdixhiku i ka cilësuar si johumane kushtet e punës së tyre, duke thënë se pajisjet i kanë tejet të vjetra.

“Janë në rend të dytë sepse plot 1100 punëtorë të Trepçës, janë pa paga dhe po futen në muajin e tretë pa asnjë pagë kompensim. Punëtorët janë të Trepçës. Trepça është e shtetit. Ata kanë kontrata, kanë zotim shtetëror për pagën që duhet marrë. Partia në pushtet menaxhon me kompleks me Borde e me Menaxhment. Është përgjegjësi e tyre, e shtetit, që punëtorët e vet t’i kompensojë për punën dhe kontratën që kanë”, ka vazhduar më tej i pari i LDK-së.

Ai tha se “minatorët meritojnë zgjidhje pa hezitim!”. /Telegrafi/