Telegrafi

Abdixhiku: Vdekja e Triumf Feratit, dhimbje e madhe e trishtim i thellë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ngushëlluar nënën e Triumf Feratit, i cili u gjet sot i vdekur në Istog.

Përmes një telegrami ngushëllimi ai thotë se nuk kanë fjalë për ta përshkruar dhimbjen për humbjen e Triumfit.

“E dashura zonja Drita,

Në momente si këto, njeriu ngrinë nga fjalët. Përballë dhimbjes së madhe e trishtimit të thellë, ato humbasin gjithë peshën. Sot, s’kam fjalë për të përshkruar dhimbjen për humbjen tonë e tuajën!”, ka shkruar Abdixhiku.

Lexo po ashtu Kurti: Na tronditi e pikëlloi thellë lajmi për vdekjen e Triumf Feratit

I pari i LDK-së ka thënë se Triumfi ishte aktivist i jashtëzakonshëm i partisë.

“Triumf Fadil Ferati, na la. Iku herët. Me të na iku dhe një mik, një aktivist e një njeri i jashtëzakonshëm. Pas vete na la veçse kujtimet, ato që të përmallojnë në plotni. Triumfi, apo Trimi siç e thërrisnim të gjithë, ishte një djalë i urtë e i dashur – ai gjithnjë rrezatonte përplot ngrohtësi. Tregonte kujdes e shprehte mbështetje ndaj secilit prej nesh! I kishte ngjarë të atit; bashkëshortit tuaj, asnjë habi”.

Ai tha se vdekja e Triumfit është humbje për gjithë LDK-në.

Lexo po ashtu Personi që u gjet i vdekur në Gurrakoc është vëllai i kryetarit të Istogut

“Ikja e tij e hershme është humbje jo vetëm për familjen tuaj, por dhe gjithë qytetin e Istogut e gjithë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”

“Në këto momente të rënda, unë e secili anëtar i Lidhjes, qëndrojmë afër me ju, me Besën e me Ilirin. Qenka e rëndë vizita në shtëpinë tuaj pa Trimin tonë mes jush. Zoti ju dhashtë forcë! Pusho në paqe Triumf!”.

Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë marrë një informacion rreth orës 16:45 të së dielës se një person është gjetur pa shenja jete pasditen e së dielës në varrezat e fshatit Gurakoc të Istogut./Telegrafi/