Site icon Telegrafi

Abdixhiku uron Trumpin: Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës.

Lexoni të plotë postimin:

Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes!

Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane!

Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!

“Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me SHBA-të” – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, do të jetë misioni ynë nesër!. /Telegrafi/

Exit mobile version