Kryetari i Komsionit për Buxhet e Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka treguar për ndryshimet financiare që janë bërë e që do të përfshihen në Buxhetin e vitit 2019 të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku për këto ndryshime buxhetore ka falënderuar të gjithë anëtarët e Komisionit.
Ai ka shkruar se, janë mbuluar të gjitha shpenzimet vjetore të 11 qendrave strehimore në Kosovë që strehojnë mbi 400 gra e fëmijë në nevojë, duke theksuar se vitin e kaluar këto qendra ishin mbyllur në mungesë të mjeteve financiare.
“Shtuam numrin e inspektorëve të punës për 50%; me shpresë shumë se të njëjtit do të përkujdesen minimalisht për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.
Dyfishuam buxhetin për jetimoret në Kosovë, me mundësi rritjeje sa herë që ato kanë nevojë.
Siguruam 750 mijë euro Investime për repartin e Onkologjisë me qëllim të përkujdesjes më të mirë ndaj pacientëve me sëmundje të kancerit.
Shtuam numrin e policëve për 300 sosh; numrin e mjekëve për 50, të psikologëve nëpër shkolla për 50; të zjarrfikësve për 30.
Gjetëm mjete për financimin e 8 shkollave të reja nëpër Kosovë; 12 sallave sportive; e 5 çerdheve për fëmijë.
Siguruam financim për ndërtimin e mbi 50 banesave për familjet në nevojë në disa vendbanime nëpër Kosovë.
Siguruam financim prej 20 milion eurove për investime kapitale nëpër të gjitha komunat e Kosovës; investime për qasje në ujë; sheshe e rrugë për shumë qytetarë në Kosovë.
I falënderoj deputetët propozues; e mbi të gjitha të gjithë anëtarët e Komisionit që udhëheq që ideuan e votuan ndryshimet pa as edhe një hezitim. Një ditë si kjo, ja vlen”, ka shkruar Abdixhiku./Telegrafi