Site icon Telegrafi

Abdixhiku tregon kontaminuesit e UÇK-së

Analisti, Lumir Abdixhiku ka akuzuar disa anëtarë të UÇK-së për kontaminim të vlerave të luftës.

Ai përmes një postimi në Faecbook, e ka përmendur rastin e së enjtes kur ‘Tigri’ dhe ‘Vandami’ drejtonin xhipin në shesh si shenjë feste për lirimin e Ramush Haradinjt, dhe reagimin e OVL të UÇK-së të cilët tentonin të pengonin një shfaqje teatrore.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Dje, “Tigri” e “Vandami” drejtonin xhipin e tyre të mbështjellë me stema të UÇK-së nëpër shesh, kërcënonin qytetarët, shanin policinë, thonin ligji s’vlenë për ne. U lanë të lirë.

Sot, Organizata e Veteranëve, mbështjellë sërish me hije të UÇK-së, ka vendosur të pengojë një shfaqje teatrale, pasi që, besoni ose jo, s’kanë aprovuar skenarin e saj. OVL është bërë tash autoritet i vlerësimeve artistike.

Njerëz si këta, janë kontaminuesit më të mëdhenj të emrit të UÇK-së. S’kanë lidhje me të, prandaj e ndotin lehtë. Në emër të lirisë këta kanë mbushur listat e veteranëve në plot 50 mijë. Në emër të lirisë këta kanë mbushur kutitë me votime nga 80 herë. Në emër të lirisë këta kanë ndërtuar lista pranimesh e shitjesh në universitet. Këta as idenë më të vogël se kanë të konceptit liri e as sakrificës për të.

Por njerëzit si këta, kanë ende gjasë të futen me xhipa në shesh, të kërcënojnë me jetë, të mashtrojnë, vjedhin e shesin autoritet, sepse kapësit, shefat e tyre, janë në pushtet. Janë brum i njëjtë.

Çlirimi nga zaptimi e kapësit e tillë është mision i ri patriotik i Kosovës. Është obligim i gjeneratës së re në vend” (sic.), ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/

Exit mobile version