Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Do t’i nënshtrohem verifikimit të pasurisë bashkë me të gjithë kolegët e mi udhëheqës të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është zotuar se do të jetë i pari që do t’i nënshtrohet verifikimit të pasurisë.

Madje, ai u zotua se këtë do ta bëj bashkë me kolegët e tij udhëheqës të LDK-së.

“Po e bëj një zotim këtu. Do të jem i pari  që do t’i nënshtrohem verifikimit të pasurisë dhe bashkë me mua të gjithë kolegët e mi udhëheqës të LDK-së. Që ta heqim këtë temë po e vë vetën vullnetar të parin”, u zotua Abdixhiku gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Ai theksoi se afërsia e LDK-së me LVV-së, siç tha ai, e proklamuar në publik, ka ardhur nga qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet me Serbinë.

“Unë besoj që afërsia jonë e proklamuar në publik ka qenë prej votimin tonë për referendum dhe përkrahjes sonë për veriun. Nëse dikush pret që për çështje të Serbisë, unë e kolegët e mi e vendosim partinë para shtetit, e kanë gabim, sepse nuk do ta bëjmë”, theksoi Abdixhiku.

Po ashtu, Abdixhiku thotë se nuk mund të quhet opozitë e dobët kjo e tanishmja, pasi e kanë marrë kryeqytetin në garë me Vetëvendosjen.

“Më thoni, si është e dobët një opozitë që ia merr kryeministrit edhe gjithë Qeverisë, kryeqytetin, Prishtinën. Në kryeqytet ku ai kishte 76 mijë vota e ne i kishim 16 mijë. Si është kjo opozitë e dobët ku ai koncentrohej me të gjithë mekanizmat e vet këtu dhe në komuna tjera, dhe u mund”, shprehet Abdixhiku.

“Tani unë besoj që kjo fazë e politik-bërjes ka përfunduar, sepse jemi në një periudhë të re, kanë kaluar zgjedhjet, janë konsoliduar pozicionet e partive politike dhe LDK-ja do të ketë zë të artikuluar partiak. Sa i përket frikës është totalisht e pavend, ne jemi në garë politike, nuk ka frikë këtu”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version