Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar Komunën e Obiliqit, që drejtohet nga Xhafer Gashi i LDK-së.
Ai ka vlerësuar punët që po zhvillohen në këtë komunë dhe komunat tjera të udhëhequra nga LDK.
“Në komunat tona po punohet shumë. Projekte kapitale, investime afatgjata, gjëra që mbesin nëpër gjenerata. Sot, vizitova Xhafer Gashin dhe gjithë ekipin e tij në Obiliq. U nderova jo vetëm nga mikpritja e mirë, por dhe nga ambiciet e mëdha që kishin për punë e shërbim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Vizituam nga afër një sërë projektesh që po zhvilloheshin aktualisht, të tjera në përfundim apo të përfunduara tashmë. Secili projekt lë gjurmë”, ka shtuar tutje ai.
Ai kë vënë theksin te projekti i ngrohjes, që thotë të jenë pjesë të “Rrugës së Re”.
“Pashë punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore; një burim ngrohjeje për plot 5000 qytetarë në 40% të territorit të gjithë komunës. Projekt madhor, projekt impresiv, projekt i drejtë para së gjithash. Në Programin tonë ‘Rruga e Re’ kemi paraparë mbi 120 milionë euro investime vetëm në ngrohje qendrore; dhe Obiliqi, shtëpi e KEK-ut, do të ketë prioritet trajtues pa dyshim”.
“Vizituam sallën moderne të edukatës fizike në fshatin Dardhishtë, Bibliotekën e qytetit me kushte impresive; brezin e gjelbër rreth termocentralit e punët e shumta në parkingje të reja, shesh e rrugë”.
Ai i ka uruar punë të mbarë kryetarit Xhafer Gashi duke i thurur lavde për realizimin e 92% të investimeve kapitale.
Mirëpo ka shprehur frikën se mos nga kjo vizitë do të nxitet ndonjë “hakmarrje”.
“Komuna e Obiliqit dhe Xhafer Gashi kanë realizuar 92% të investimeve kapitale; tre herë më lartë se qeverisja qendrore që mbetet trishtueshëm në vetëm 29%”.
“Me shpresë shumë që kjo vizitë nuk do të nxisë ndonjë gjykatës familjar të ndërprejë ndonjërin nga projektet e vizituara në fjalë – siç ndodhi me Rrugën A”, ka shkruar Abdixhiku./Telegrafi/