Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ambasadorin britanik e ka njoftuar lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit, programin tonë politik ‘Rruga e Re’ dhe fokusin tonë elektoral në politika zhvillimore e projekte që kanë rëndësi e peshë njëmend për qytetarët në vend.
“LDK po hyn në zgjedhje me ekip të ri, program të ri, ide të reja! Mbi të gjitha me entuziazëm të unitetit e me shpresë për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.
Abdixhiku ka thënë se në takim me ambasadorin britanik ka theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Kosovës, “në veçanti në përballje me kundërshtarët e shtetësisë sonë. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet aleat i ngushtë i yni në këtë drejtim. Për këtë, ne dhe populli i Kosovës mbesin mirënjohës përherë”. /Telegrafi/