Telegrafi

Abdixhiku takon shefin e BE-së, ia prezanton planin shtatë pikësh të LDK-së për tejkalimin e situatës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog me të cilin ka diskutuar për çështjet aktuale politike në vend.

Në takim u bisedua dhe për nevojën e stabilitetit në vend, për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe BE-së dhe se rruga e vetme e duhur për Kosovën është integrimi euroatlantik.

Në njoftimin për media thuhet se Abdixhiku i ka shpalosur ambasadorit Syunzog planin 7 pikësh të LDK-së i cili përmban zgjidhjen e krizës në veri dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin edhe për ecurinë e takimeve me akterë të jetës publike në vazhdën e ndërtimit të Rrugës së Re si dhe qëndrimet e LDK-së karshi të gjitha proceseve që po kalon vendi.

Ndërkaq, për takimin me Abdixhikun ka shkruar edhe shefi i BE-së në Kosovë, Szunyog.

Ai shkruan se me kryetarin e LDK-së kanë shkëmbyer mendimet lidhur me zhvillimet e fundit politike.

“Sot në mëngjes me z.LumirAbdixhiku kemi shkëmbyer mendime për zhvillimet e fundit politike, ngjarjet e fundit në Kuvend dhe situatën në veri. Për të adresuar sfidat aktuale nevojitet angazhim konstruktiv dhe konsensus politik nga të gjithë”, shkruan shefi i BE-së në Kosovë. /Telegrafi/