Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai tha se me Sarrazinin kanë diskutuar për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës aty.
Abdixhiku tha se pret nga “Qeveria në largim” të përmbushë obligimet finale në këtë drejtim.
“Në prag të 10 vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit, diskutuam për rëndësinë e participimit të Kosovës aty; dhe mundësitë e mëdha ekonomike që rrjedhin për Republikën e Kosovës. Si LDK, kemi mbështetur dhe mbështesim në plotni këtë proces; siç dhe presim nga Qeveria në largim përmbushjen e obligimeve finale në këtë drejtim duke mos dëmtuar pozicionin tonë aty.”
Abdixhiku ka shtuar se nga 9 shkurti do t’i japin prioritet kësaj nisme por edhe çdo procesi tjetër integrues e konsolidues, që sic thotë ai, ka ngecur për 4 vjet rresht.
“Nga 9 shkurti, do t’i japim prioritet jo vetëm kësaj nisme strategjike, ku Kosova ka vend e rol të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, por dhe secilit proces tjetër integrues e konsolidues që ka ngecur për 4 vite rresht – fillimisht duke rikuperuar pozicionin tonë të rënduar e më pas duke avancuar drejt qëllimeve tona historike. Në qeverisjen time, konsolidimi shtetar dhe interesat e Republikës nuk kompromitohen me vendime populliste!”./Telegrafi/