Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar nxënësit e Akademisë jCoders, shkollës trajnuese në fushën e teknologjisë të mbi 1000 fëmijëve gjithandej Kosovës.
Abdixhiku u prit nga Arta Shehu Zaimi, themeluesja e kësaj shkolle.
“U gjenda mes programerëve të rinj, fëmijëve e nxënësve me talente të jashtëzakonshme, atyre që të bëjnë të kuptosh se e ardhmja e Kosovës është thjeshtë e ndritur dhe bukur. Më prezantuan dhe punimet e tyre; Paridi për shembull na prezantoi programin e tij që çdo lëvizje trupore e përkthente në imazh simbolesh; ndërsa Rona e Driti na prezantuan ëebfaqet e tyre të programuara në gjuhën javascript. Më pas na prezantoi dhe Dua, fluturaken e saj të ndërtuar në LabBox. Secili nxënës aty kishte një shkathtësi teknologjike të fituar në këtë shkollë”, tha Abdixhiku.
Lideri i LDK-së, theksoi se në një vend si Kosova, ku sistemi shtetëror na prodhon PISA-n dhe renditjen tmerruese në fund, shkollat trajnuese në hap me zhvillimet e kësaj dekade bëhen domosdoshmëri.
“Ato na shërbejnë si model se si duhet të investojmë në teknologji; e si sistemi edukativ, ky që na prodhon PISA-n e sotme, duhet të na transformohet shpejtë në krijues të talenteve botërore”.
“Kosova e ka këtë mundësi! E pashë sot nga afër mu këtu”.
“Mundemi dhe duhet që mundësinë e 1000 fëmijëve në jCoders, sikurse dhe në shkolla të ngjashme të nisura nga Arta e të tjera Arta plot, ta amplifikojmë në gjithë vendin”, u shpreh ai.
Abdixhiku thekson se në ‘Rrugën e Re’ ka paraparë fokus në teknologji informative e në arsim; si dy shtylla thelbësore.
“Kemi paraparë, ndër të tjerash, edhe: Trajnimin e mbi 40 mijë nxënësve e të rinjve në programim e teknologji. Investime 30 milion euro në laboratore teknologjike shkollore. Kodimin si lëndë mësimore që nga klasa e parë. Artën dhe ekipin e saj, e falënderova për pritjen dhe punën motivuese si ndërmarrëse e inivatore që po bën sot. Ajo me gjithë nxënësit aty, ishin inspirim”, shkroi Abdixhiku.