Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku të premten ka takuar disa punonjës shëndetësor me të cilët ka biseduar për situatën në të cilën ndodhet ky institucion.
Abdixhiku përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka thënë se sistemi shëndetësorë në Kosovës është në “pikën e thyerjes”.
Ai tha se mori konfirmimin edhe nga këta punonjës së gjendja në sistemin e shëndetësisë nuk është e mirë.
Sipas tij, pacientët të cilët janë të diagnostifikuar me kancer, nuk mund të marrin barna nga institucionet shëndetësore, pasi ato nuk gjenden.
“Pa penj, pa infuzione, pa dorëza! Mëngjesin e së premtes e nisa me punonjës shëndetësorë të cilët ma konfirmuan atë që të gjithë e dimë tashmë; sistemi ynë shëndetësor është në pikën e thyerjes. Klinika të tëra spitalore janë pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa mjete higjienike bazike. Pacientët, familjarët e tyre, duhet t’i sjellin ato me veti para operimeve e intervenimeve. Për pacientët me kancer, në përballjen e tyre për jetë, nuk ka barna. Tani, kur kosto e jetës është e papërballueshme, ata duhet t’i blejnë ato vet”, ka shkruar Abdixhiku.
Po ashtu i pari i LDK-së tha se qeverisë së vendit i kanë tepruar mbi 1.3 milion euro të dedikuara për barna e material bazik gjatë vitit 2022.
“Tepricë parash kur nuk ka as penj. Kjo gjendje është thjeshtë e papranueshme. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku. /Telegrafi/