Telegrafi

Abdixhiku takohet me emisarin gjerman Sarrazin: Mbështetja e Gjermanisë jetike për Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në një takim të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mbështetja e Gjermanisë dhe Qeverisë së Kancelarit Scholz për Kosovën është jetike në proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloj një takim dreke me të dërguarin special të Qeverisë Federale të Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, z. Manuel Sarrazin”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

“Mbështetja e Gjermanisë dhe Qeverisë së Kancelarit Scholz ndaj Kosovës, është jetike në proceset tona përpara. LDK mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit tashmë historik mes dy vendeve. Lëvizja e lirë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e vet procesi i dialogut, kanë për garancë një relacion të tillë”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/