Telegrafi

​Abdixhiku takim me studentë: Demokracia vdes kur shkelja e Kushtetutës bëhet standard

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit Filozofik mbi sfidat politike dhe nevojat për reforma në arsim.

Njëra ndër çështjet që Abdixhiku e trajtoi me theks të veçantë ishte, siç u shpreh ai, shkelja e Kushtetutës nga pushteti aktual, krijimi i precedentit për mos marrje të përgjegjësisë, si dhe interpretimi i vendimit të gjykatës me gjuhë politike nga ana e pushtetit.

“Për më keq, Kushtetuta është shkelë edhe nga ata që është dashur të merren me reformën në arsim, përkatësisht ministrja e Arsimit, andaj kjo është e papranueshme. Demokracia na duhet e gjallë dhe funksionale, ndërsa shkelja, analizimi dhe interpretimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti është përpjekje për defunksionalizim dhe mbytje të demokracisë”, tha ai.

Abdixhiku në këtë takim u është përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të studentëve mbi me rolin e LDK-së si parti opozitare.