Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’u ofruar strehim shtetasve afganë në vendin tonë.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka quajtur të drejtë, të domosdoshëm dhe të pa alternativë vendimin për të strehuar afganët e rrezikuar nga konflikti në Afganistan.
“Përveç se shenjë respekti ndaj kërkesës së aleatëve tanë, SHBA-së, edhe obligim moral i një vendi të vogël që dikur gjeti strehë nëpër botë.
Populli i Kosovës njeh vuajtjet e fëmijëve, grave e burrave që lëshojnë vendin e tyre si alternativë të fundit mbijetese. Në këtë kohë, siguria për ta është kontributi më i madh që një shtet si i joni mund të ofrojë – shembull për shume shtete nëpër botë”, shkruan Abdixhiku.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga Republika e Kosovës, për qytetarët afganë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan si dhe për familjarët e tyre. /Telegrafi/