Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Sot për herë të tretë u konfirmua fitorja jonë në Dragash

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se sot për herë të tretë u konfirmua fitorja e LDK-së në Dragash.

Abdixhiku ka shtuar se kanë qenë të bindur se vullnetin e qytetarëve nuk mund ta ndryshonte asnjëri, transmeton Telegrafi.

“Të dashur qytetarë, Sot, për herë të tretë, u konfirmua fitorja jonë në komunën e Dragashit. Votimi i 17 tetorit, i 14 nëntorit dhe rivotimi i mërgatës i finalizuar sonte me 14 dhjetor, rikonfirmuan tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin tonë, Dr. Bexhet Xheladini. Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend”, thotë ai.

Lexo po ashtu Përfundon numërimi i votave të diasporës - LDK-ja fiton Dragashin

Abdixhiku ka pohuar se LDK ka fituar 8 komuna në zgjedhjet lokale.

“LDK, përfundoj ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me 8 komuna të fituara. Dr. Xheladini i bashkohet të shtatë kryetarëve tanë të tjerë në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim. Dragash urime! Doktor, ju priftë e mbara”, shton ai.

Ndryshe, sonte ka përfunduar procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora për Komunën e Dragashit.

Në bazë të dhënave nga QNR, kandidati i LDK-së Bexhet Xheladini prin me 470 vota ndaj kandidatit të PDK-së, Shaban Shabani, i cili ka marrë 173 vota. /Telegrafi/

Exit mobile version